Vajza e poetit të madh Lasgush Poradeci, Maria Poradeci, ka shpërthyer në një reagim të fortë në rrjete sociale, duke denoncuar atë që e quan “32 vite vuajtje, padrejtësi dhe korrupsion” për një pronë familjare në qytetin e Pogradecit.

Sipas saj, bëhet fjalë për një copë toke në lulishte “1 Maji”, vetëm disa metra larg një lokali privat, e cila – sipas dokumenteve që ajo zotëron – i përket familjes Poradeci që nga koha e Mbretit Zog.

“Kam dokumenta që nga koha e Zogut. Kam fituar në tre shkallë gjykate për të drejtën e parablerjes dhe për kontrata të pavlefshme. Por prej 32 vitesh nuk gjej drejtësi, sepse paraja i ka bërë bllok çdo rruge ligjore,” – shkruan ajo.

Maria Poradeci thekson se, pavarësisht vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të saj, institucionet shtetërore nuk i kanë zbatuar, duke lejuar që një subjekt privat të vazhdojë aktivitetin në pronën e saj.

“Ai që e përdor pronën time si biznes fiton para mbi tokën time dhe paguan me to çdo shtetar. Tridhjetë e dy vjet – një jetë. Kam fituar në çdo gjykatë, por padrejtësia vazhdon. Shteti hesht, institucionet janë të kapura. Kurvëria e këtij sistemi nuk njeh fund,” – shkruan ndër të tjera vajza e poetit.

Në reagimin e saj të gjatë, Maria Poradeci ngre pyetjen e dhimbshme:

“Tridhjetë e dy vjet gjyqeve, zyrave dhe nuk gjej të drejtën. Si duhet të sillem unë?”

Çështja e saj është një nga dhjetëra raste që për vite me radhë kanë mbetur peng i zvarritjeve gjyqësore dhe moszbatimit të vendimeve për pronat, duke rikthyer në qendër të vëmendjes një plagë të vjetër të sistemit të drejtësisë shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu