
Izraelitët u përgatitën të nderonin të vrarët të martën, teksa vendi shënon dy vjet nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ngjarje që zhyti rajonin në një luftë shkatërruese, ndërsa Izraeli dhe Hamas zhvillojnë bisedime indirekte në Egjipt.
Ceremonia kryesore përkujtimore po organizohet nga familjet e viktimave, jo nga qeveria, duke reflektuar ndarjet e thella për udhëheqjen e Kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin shumë e fajësojnë për dështimin në sigurimin e një armëpushimi, që do të lironte pengjet e mbetura në duart e grupit militant.
Në Rripin e Gazës, ku ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkatërruar qytete e fshatra të tëra, ata që mund të largohen po ikin nga një pushtim i ri izraelit në Qytetin e Gazës, ndërsa të tjerët po qëndrojnë të fshehur në vend. Shumë nuk kanë mundësi të bëjnë udhëtimin e vështirë dhe të kushtueshëm në jug.
Sulmi më i keq në historinë e Izraelit
Kanë kaluar dy vjet nga momenti kur mijëra militantë të udhëhequr nga Hamasi përshkuan Izraelin jugor, pas një sulmi të befasishëm me raketa.
Ata sulmuan baza ushtarake, komunitete bujqësore dhe një festival muzikor në natyrë, duke vrarë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ata rrëmbyen 251 të tjerë, shumica e të cilëve janë liruar që nga atëherë në armëpushime ose marrëveshje të tjera. 48 prej tyre mbeten brenda Gazës, dhe Izraeli beson se rreth 20 persona, janë ende gjallë.
Hamasi ka thënë se do t’i lirojë vetëm në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjeje izraelite. Netanyahu ka premtuar të vazhdojë luftën deri sa të kthehen të gjitha pengjet dhe Hamasi të jetë çarmatosur.
Ky sulm nisi një varg ngjarjesh që çuan Izraelin në përplasje me Iranin dhe aleatët e tij në rajon, përfshirë grupin Hezbollah të Libanit, që pësoi humbje të mëdha. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në sulmet ndaj programit ushtarak dhe bërthamor të Iranit gjatë një lufte 12-ditore në qershor.
Izraeli ka vrarë disa militantë të lartë, si dhe gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, dhe ka dëmtuar rëndë kapacitetet ushtarake të armiqve të tij, duke marrë kontrollin mbi shumicën e Gazës dhe pjesë të Libanit dhe Sirisë.
Por dështimi për të kthyer pengjet ka lënë vendin thellësisht të ndarë, me protesta masive javore kundër Netanyahu. Izraeli është më i izoluar ndërkombëtarisht sesa ka qenë në dekada.
Një memorial në vendin e një masakre
Rreth 400 izraelitë u vranë dhe dhjetëra u rrëmbyen nga festivali i muzikës Nova në komunitetin kufitar Reim.
Gjatë dy viteve të fundit, vendi është shndërruar në një vend përkujtimi, me portrete të të rrëmbyerve dhe të rënëve, të bashkëngjitura në flamuj izraelitë. Familjet e viktimave planifikojnë të ndërtojnë një sukkah — një strehë e përkohshme festive atje — në nder të festës hebraike të Sukkot, që përkon me përvjetorin.
Nuk pati ceremoni zyrtare në vendin e festivalit, për shkak të festës hebraike.
Ceremonia kryesore përkujtimore do të mbahet në Tel Aviv dhe do të përfshijë performanca muzikore dhe fjalime. Ajo po organizohet nga Yonatan Shamriz, i cili humbi vëllain e tij, Alon, një nga tre pengjet që u vranë gabimisht nga forcat izraelite, pasi u arratisën nga robëria në fillim të luftës.
Izraeli dhe Hamas diskutojnë planin e paqes së Trumpit
Përfaqëesuesit e Izraelit dhe Hamasit u takuan të hënën në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh për të diskutuar një plan të ri paqeje të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump. Bisedimet pritet të vazhdojnë të martën.
Lufta ka vrarë mbi 67,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që drejtohet nga Hamas, e cila nuk jep shifra se sa prej tyre ishin civilë apo luftëtarë.
Thuhet se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth gjysmën e të vdekurve, dhe shumë ekspertë të pavarur thonë se këto janë shifrat më të besueshme të viktimave gjatë luftës.
Ofensiva e Izraelit ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë së Gazës prej rreth 2 milionësh, shpesh disa herë, dhe kufizimet në ndihmën humanitare kanë sjellë një krizë të thellë urie, me ekspertët që thonë se Qyteti i Gazës po përjeton një gjendje urie ekstreme.
Ekspertë dhe organizata të mëdha të të drejtave të njeriut kanë akuzuar Izraelin për gjenocid, dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale kërkon arrestimin e Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të mbrojtjes, për përdorimin e urisë si mjet lufte.
Izraeli e mohon fuqishëm këtë dhe thotë se po zhvillon një luftë të ligjshme për vetëmbrojtje dhe po merr masa të jashtëzakonshme për të shmangur dëmtimin e civilëve. Ai fajëson Hamasin për vdekjet dhe shkatërrimet në Gaza, duke argumentuar se militantët janë thellësisht të përzier në zonat e banuara.
Hamas e paraqet sulmin e 7 tetorit si përgjigje ndaj dekadave të ndërtimit të kolonive dhe okupimit ushtarak. Por sulmi ka shkaktuar një gjendje katastrofale për palestinezët, ëndrra e të cilëve për një shtet të pavarur duket më larg se kurrë. /Boston Globe/