
Gjendja shëndetësore e Pano Rucit, babait të Denis Rucit, një prej viktimave të tragjedisë hekurudhore të Tempit, është përkeqësuar ndjeshëm. Ai ndodhet në ditën e 17-të të grevës së urisë, në sheshin Sintagma të Athinës, duke kërkuar realizimin e zhvarrosjes së trupit të të birit.
Sipas një deklarate të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAV), Ruci ka refuzuar t’i nënshtrohet analizave laboratorike dhe ekzaminimeve mjekësore, gjë që ka ndikuar rëndë në gjendjen e tij fizike. “Që prej fillimit të grevës së urisë në Sheshin Sintagma, EKAV ka siguruar praninë e ekipeve mjekësore dhe automjeteve të ndihmës së shpejtë. Gjendja shëndetësore e grevistit është monitoruar rregullisht, me matje të parametrave jetikë dhe kontrolle klinike. Megjithatë, ai ka refuzuar çdo herë kryerjen e analizave apo ekzaminimeve mjekësore, duke rritur rrezikun dhe vështirësuar ndjekjen shëndetësore të tij”, thuhet në njoftim.
Një grup mjekësh që ndjekin nga afër situatën paralajmërojnë se afatet kohore po ngushtohen dhe bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente të autoriteteve për të shmangur dëmtime të pakthyeshme. Ata theksojnë se pesha trupore e Rucit është më e ulët se sa pritet në raste të ngjashme pas 17 ditësh grevë urie. Për më tepër, ai nuk është në pushim të plotë, por qëndron aktiv dhe në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, çka e lodh më tej organizmin.
EKAV bëri të ditur se gjatë mëngjesit Pano Ruci kishte qëndruar për disa orë në një hotel, por më pas është kthyer në shesh për të vijuar grevën. Sipas mjekëve, ai vuan nga sëmundje kronike dhe aktualisht përballet me hipotension ortostatik, hipoglicemi, dobësi kardiake dhe një sistem imunitar të rrënuar, që e ekspozojnë ndaj rreziqeve të menjëhershme infektive.
Mjekët i kanë rekomanduar izolim dhe kujdes të veçantë në një ambient të kontrolluar, si një dhomë spitali, për të rritur shanset e mbijetesës. Por deri më tani, ai ka zgjedhur të qëndrojë në shesh, përballë temperaturave të jashtme dhe mungesës së kushteve të përshtatshme.
Ndërkohë, edhe pse zhvarrosja e trupit të Denis Rucit ishte planifikuar për ditën e premte, 3 tetor, avokatja e familjes, Zoi Konstantopulu, kërkoi shtyrjen e procedurës për të mundësuar praninë e një eksperti teknik gjatë procesit. Kërkesa është pranuar nga autoritetet prokuroriale dhe zhvarrosja pritet të zhvillohet javën e ardhshme.