
Pak pas mesnatës, qyteti i Lushnjës është tronditur nga një shpërthim në lagjen Gafurr Muça. Një sasi e vogël lënde plasëse është vendosur në murin e jashtëm të një banese në katin e parë të një pallati 5-katësh.
Nga shpërthimi ka vetëm dëme të vogla materiale, kryesisht xhama të thyer. Ende nuk ka konfirmim nëse në banesë ka qenë ndonjë person gjatë shpërthimit.
Banesa në pronësi të shtetases Shaqe Gjata, nëna e Klea Gjatës – ish e dashura e të dënuarit përjetë Laert Haxhiu – fatmirësisht nuk ka pësuar dëme të mëdha. Policia dhe grupi hetimor kanë dokumentuar ngjarjen dhe po punojnë për zbardhjen e dinamikës dhe kapjen e autorëve.
Burime policore bëjnë me dije se lënda plasëse dyshohet të jetë vendosur si mesazh dhe jo për të shkaktuar dëme të mëdha. Pistë kryesore për hetimet lidhet me mosmarrëveshjet personale mes Klea Gjatës dhe Laert Haxhiut, pas ndarjes së tyre.
Sipas policisë, konflikti ka nisur pasi Klea Gjata ka mësuar se një modele nga Kosova, Ziza Pajaziti, ka frekuentuar të dashurin e saj në burgun e Drenovës. Pas zbulimit të tradhtisë, Klea ka refuzuar takimet me Laert Haxhiun, duke intensifikuar tensionin mes tyre.
Klea Gjata është e njohur si ish e dashura besnike e Laert Haxhiut, ndërsa më parë është arrestuar për moskallëzim krimi, ku ka qëndruar 6 muaj në burg. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria i ka sekuestruar një automjet tip “Benz”, që përdorej edhe nga Haxhiu gjatë kohës që ishte në kërkim.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa shpërthimi ka tronditur lagjen dhe ka alarmuar banorët e zonës.