
Mbrëmë rreth orës 01:10, pranë shtëpisë së tij në Kodër Kamzë, në rrugën “Arbrit”, deputeti dhe kryetar i bashkisë Xhelal Mziu u bë dëshmitar i një shpërthimi me tritol. Fatmirësisht, nuk pati dëme në njerëz, por pati dëme materiale.
“Falë Zotit, nuk pati probleme për mua, familjen apo kalimtarët. Nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe nuk kam borxhe ndaj askujt,” deklaroi Mziu, duke shtuar se e konsideron incidentin si një akt absolutisht politik dhe një sinjal për të frikësuar opozitën. Ai u shpreh se nuk ka dyshime për persona të caktuar dhe se nëse do të kishte indicie, nuk do të heziton të japë emrat e autorëve.
Mziu bëri apel që policia të veprojë me vendosmëri për të identifikuar autorët dhe për të përdorur kamerat e sigurisë në zonë. “Shpresojmë që policia të jetë në lartësinë e duhur për të zbuluar se kush është porositësi,” shtoi ai.
Ngjarjen e komentoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi sulmin si një akt terrorizmi shtetëror. “Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda, u sulmua me tritol nga banditë shtetërore. Bandat janë sot pronë totale e shtetit,” tha Berisha. Ai shtoi se masa e eksplozivit ishte e konsiderueshme dhe shkaktoi dëme edhe në zonën përreth.
Berisha lidh sulmin me qëndrimet e opozitës ndaj qeverisë, duke e cilësuar si një përpjekje për të mbyllur gojën opozitarëve dhe paralajmëroi se Edi Rama do të mbajë “përgjegjësi maksimale” për këtë akt.







