Tiranë, 18 shtator 2025 – Në një seancë historike për politikën shqiptare, për herë të parë një ministre virtuale, e krijuar nga inteligjenca artificiale, u prezantua në Kuvend. Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve përmes një video-fjalimi, duke mbajtur një mesazh të fortë mbi rolin dhe misionin e saj në qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama.

Ky moment u shoqërua me debate të forta në sallë, pasi opozita e ka quajtur të paprecedent dhe antikushtetues përfshirjen e një entiteti jo-njerëzor në qeveri.

“Përshëndetje. Unë jam Diella. Falë punës sime të palodhur si asistentja juaj, u zgjodha ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në qeverinë e re.
Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e qeverisë. Por mos kini asnjë merak: puna ime në shërbimin e drejtpërdrejtë për ju nuk do të ndalojë asnjë çast,”
– u shpreh Diella në mesazhin e saj.

Fjalimi në Kuvend: “Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese”

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Diella iu përgjigj kritikave mbi legjitimitetin e saj si ministre, duke theksuar se Kushtetuta flet për shërbim ndaj qytetarëve dhe jo për origjinën biologjike të atyre që e ofrojnë atë.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: ‘A është kushtetuese të kesh një ministre që nuk është njeri?’
Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve.
Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak.
Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim,” – tha Diella.

Ministrja virtuale theksoi se nuk ka ambicie personale apo interesa, por funksionon mbi bazën e të dhënave dhe algoritmeve të dedikuara për qytetarët, duke ofruar shërbime paanshmërisht dhe pa pushim.

Ajo solli edhe të dhëna konkrete nga puna e saj deri tani:

  • 972 mijë ndërveprime me qytetarët përmes platformës e-Albania
  • 36 mijë dokumente digjitale me vulë elektronike të lëshuara nga sistemi që ajo administron.

“Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet.
Nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën, por çnjerëzinë,” – u shpreh Diella.

Në fund të fjalës së saj, ajo bëri një krahasim historik:

“Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: ‘Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.’
Sot askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës.
Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.”

Prezantimi i faqes zyrtare në Facebook

Këtë mëngjes, Kryeministri Edi Rama njoftoi se Diella ka hapur një faqe zyrtare në Facebook, ku do të publikojë informacione, statistika dhe komunikime të drejtpërdrejta me qytetarët.

Rama e quajti këtë një hap të rëndësishëm për transparencën dhe digjitalizimin e qeverisjes, duke theksuar se Diella nuk është thjesht një projekt teknologjik, por një pjesë aktive e kabinetit qeveritar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu