
Kryeministri Edi Rama ka uruar publikisht ditëlindjen e paraardhësit të tij në krye të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Nanon si liderin historik që e transformoi Partinë Socialiste dhe e orientoi atë drejt vizionit europian.
“Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet,” – shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se kontributi i Fatos Nanos ishte vendimtar për drejtimin e PS-së dhe për rrugëtimin europian të vendit.
“Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa. Pa Fatos Nanon në krye, rruga jonë mund të kishte qenë shumë më e gjatë,” – shkruan Rama.
Rama e mbylli urimin me fjalë respekti dhe përshëndetje të përzemërta:
“Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar.”







