
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua sot në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një vizitë të dominuar nga pasojat e sulmit izraelit në Katar javën e kaluar.
Sulmi, që kishte në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit në territorin e një aleati të ngushtë të SHBA-ve, shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare dhe u kritikua publikisht nga presidenti Donald Trump. “Presidenti nuk ishte i kënaqur me këtë. As ne nuk ishim. Tani duhet të shohim përpara dhe të vendosim hapat e ardhshëm,” tha Rubio përpara takimit.
Takimi zhvillohet ndërsa liderët arabë po mbajnë një samit solidariteti me Katarin. Kryeministri i këtij vendi u kërkoi fuqive botërore të ndalin “standardet e dyfishta” dhe të ndëshkojnë Izraelin. Katari strehon një bazë të madhe ajrore amerikane dhe ka luajtur rol kyç si ndërmjetës në negociatat indirekte mes Hamasit dhe Izraelit.
Gjatë vizitës në Jerusalem, Rubio dhe Netanyahu ndaluan te Muri Perëndimor, të shoqëruar nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee. Dy zyrtarët shmangën pyetjet e gazetarëve mbi sulmin në Katar, ndërsa Netanyahu e përshkroi marrëdhënien SHBA-Izrael si “të qëndrueshme si gurët e Murit Perëndimor”.
Në agjendën e diskutimeve mes palëve janë gjithashtu planet ushtarake për marrjen e Qytetit të Gazës dhe zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Izraeli ka vijuar fundjavën e fundit me shkatërrimin e banesave në Gaza City dhe, sipas mediave izraelite, është në prag të fillimit të operacioneve tokësore në lagjet perëndimore të qytetit.
Ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e rreth 250 mijë banorëve, por qindra mijëra të tjerë ende qëndrojnë në qytet, duke thënë se nuk kanë ku të shkojnë ose se edhe jugu i Gazës nuk është i sigurt për shkak të bombardimeve.
Takimi vjen pak ditë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku disa aleatë të afërt të SHBA-ve – përfshirë Britaninë, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën – pritet të njohin shtetin e Palestinës.