Tiranë, 10 shtator 2025 – Partia Socialiste do të mbledhë nesër, më 11 shtator, në orën 09:45, Asamblenë Kombëtare në hollin e Pallatit të Kongreseve, ku pritet të shpallet zyrtarisht përbërja e kabinetit të ri qeverisës, i njohur si “Rama 4”.

Fjala e kryeministrit Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së, do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet sociale, ndërsa gazetarët do të kenë mundësi të ndjekin punimet nga një kënd i posaçëm në sallë.

Mbledhja e nesërme do të shënojë prezantimin e emrave të rinj të qeverisë, të zëvendëskryeministrit, kreut të grupit parlamentar dhe drejtuesve të tjerë kyç të mazhorancës. Qeveria e re pritet të marrë dekretimin nga Presidenti dhe të nisë zyrtarisht punën më 15 shtator.

Prapaskenat dhe emrat e përfolur

Burime të ndryshme mediatike kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e fundit të Ramës. Ish-këshilltarja e tij, Ornela Çuçi, ka deklaruar se kabineti i ri do të jetë “plotësisht teknik” dhe me fytyra të panjohura publikisht, si pjesë e një reformimi të thellë që synon afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ajo ka lënë të kuptohet se disa ministri të rëndësishme, mes tyre ajo e Brendshme dhe e Drejtësisë, pritet të përjetojnë ndryshime të forta.

Nga ana tjetër, gazetari Bledian Koka ka theksuar se tre figura të njohura brenda PS-së – Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Arbian Mazniku – do të dalin të fuqizuara në qeverinë e re, duke marrë rol më të madh në drejtimin e politikave qeveritare.

Ndërkohë, ditët e fundit Rama ka zhvilluar takime intensive me drejtues të rëndësishëm të PS-së dhe anëtarë të kabinetit aktual, përfshirë Belinda Ballukun dhe Niko Peleshi, duke u konsultuar mbi përbërjen përfundimtare të “Rama 4” dhe për vazhdimësinë e qeverisjes.

Emri i Iris Luarasit për postin e ministres së Arsimit është tashmë i konfirmuar, duke e bërë atë një nga surprizat kryesore të kabinetit të ri.

Qeveri me surpriza

Sipas burimeve pranë mazhorancës, qeveria e re pritet të ketë një karakter më profesional dhe të fokusohet në figura të paimplikuara në polemika. Ky ndryshim shihet si një hap i rëndësishëm në funksion të procesit të integrimit evropian dhe përgatitjes së vendit për hapjen e kapitujve të negociatave.

Asambleja Kombëtare e PS-së pritet të jetë një nga ngjarjet politike më të rëndësishme të këtij viti, pasi do të përcaktojë drejtimin e qeverisjes në mandatin e katërt të Edi Ramës dhe përbërjen e qeverisë që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu