
Degradon konflikti në familje, vëllai godet me thikë vëllain
Një konflikt në familje që duket se nisi për arsye banale, ka përfunduar në plagosjen e një 48-vjeçari nga vëllai i tij.
Policia e Tiranës bën me dije se shtetasin B. H., 49 vjeç ka goditur me thikë vëllanë e tij, i cili pasi ka marrë ndihmë në spital është larguar për në shtëpi.
Ndërkohë në pranga ka rënë autori, ndërsa i plagosuri është proceduar penalisht pasi në polici nuk ka deklaruar të vërtetën mbi ngjarjen, duke tentuar fshehjen e saj.
“Shërbimet arrestuan shtetasin B. H., 49 vjeç dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. H., 48 vjeç, vëllezër, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, 49-vjeçari ka goditur me një mjet prerës vëllanë e tij, ndërsa ky i fundit ka dhënë deklarata të rreme përpara oficerit të policisë, duke mos treguar të vërtetën mbi ngjarjen”, thanë burime zyrtare pas hetimeve paraprake mbi dinamikën dhe shkaqet.
Mbeten të paqarta rrethanat, edhe pse policia tha se krimi ka motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë të ftohta, kurse hetimet i ndjek Prokuroria e Tiranës.