
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë promovimit të librit “Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, solli kujtime dhe vlerësime për presidentin historik të Kosovës, të cilin e cilësoi si një gjeni të kombit shqiptar.
“Rugova ishte një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja e strategji, siç është Nënë Tereza në forcën morale dhe siç është Ismail Kadare në letërsi”, tha Berisha. Ai shtoi se Rugova, me zgjedhjen e gandizmit dhe rrugës së paqes, krijoi një unitet që shqiptarët nuk e kishin pasur kurrë më parë për projektin madhor të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i PD-së solli edhe episode nga marrëdhëniet e tij personale me Rugovën, duke rrëfyer se ndërhyrja amerikane pas rrëmbimit nga Millosheviçi i shpëtoi jetën dhe se Rugova refuzoi një vizitë në Tiranë kur iu kërkua të vinte “jo si president”. “Ai zgjodhi të shkonte në Maqedoni tek kampet e shqiptarëve dhe aty u prit me madhështi”, u shpreh Berisha.
Duke e vlerësuar si “pacifist radikal” dhe lider që fitoi respektin e botës, Berisha kujtoi se Rugova u nderua me çmimin prestigjioz Saharov, ndërsa kancelaritë perëndimore e shihnin si garant të barazisë dhe lirive për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në fund të fjalës së tij, Berisha lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke dënuar faktin se shtatorja e Ibrahim Rugovës mbahet prej 5 vitesh në magazinat e Tiranës.
“Ky është një akt i turpshëm, një fyerje ndaj kujtimit të Rugovës dhe ndaj gjithë kombit shqiptar. Është damka e narkoregjimit që sundon Shqipërinë”, tha Berisha.