
Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes mbrëmë, 21 gusht, flakët që shpërthyen në bashkitë Vlorë dhe Selenicë janë si pasojë e zjarrvënies së qëllimshme dhe të organizuar.
Teksa Forcat e Armatosura dhe shërbimet zjarrfikëse lokale janë angazhuar për të mbrojtur banesat dhe pronat e qytetarëve, ministri Pirro Vengu thekson se Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese po punojnë për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e autorëve.
“Zjarrvënia e qëllimshme mbetet një krim i rëndë, dhe shkaktuesit e saj do të përballen me reagimin e plotë të ligjit, paralajmëron Vengu.
Ndërkohë sot, 22 gusht, është arrestuar autori i zjarrvënies në fshatin Drashovicë, Selenicë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr pas konfliktit me një bashkëfshatar.
“Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, E. B., 43 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Selenicë, më datë 21.08.2025, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë, ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin F. N. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe janë rrezikuar të digjen bagëtitë e imta të shtetasit F. N”, bën me dije Policia./tvklan