
Zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), forca politike në pushtet e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, janë përfshirë nga flakët gjatë natës së pestë të trazirave masive në Serbi. Protestuesit antiqeveritarë u përplasën sërish me policinë speciale, duke çuar në një tjetër valë dhune në kryeqytetin Beograd dhe në qytete të tjera.
Në Valjevë, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata shokuese për të shpërndarë turmat, pasi persona të maskuar sulmuan ambientet bosh të SNS-së. Në rrjete sociale qarkulluan pamje të paverifikuara të dhunës policore, ku shihet një burrë duke u rrahur brutalisht nga forcat e rendit.
Protestat nisën pas tragjedisë në nëntor të vitit të kaluar, kur shembja e stacionit hekurudhor në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 16 personave. Shumë qytetarë fajësojnë korrupsionin qeveritar për katastrofën dhe kërkojnë hetime transparente. Demonstratat, fillimisht paqësore, janë shndërruar në thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe përfundimin e sundimit 12-vjeçar të Vuçiqit.
Ndër objektet e sulmuara ishin edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe të Voislav Sheshelit, e cila është partnere koalicioni me SNS-në.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Michael O’Flaherty, shprehu shqetësim për “forcën joproporcionale të policisë” dhe i bëri thirrje autoriteteve serbe të ndalojnë arrestimet arbitrare.
Nga ana e tij, Vuçiq reagoi në Instagram duke thënë se “dhuna është shprehje e dobësisë totale” dhe premtoi se huliganët do të ndëshkohen. Ai ka refuzuar çdo kërkesë për zgjedhje të parakohshme, duke e quajtur lëvizjen protestuese një “komplot të huaj”.
Në të njëjtën kohë, Rusia i doli hapur në krah Vuçiqit. Ministria e Jashtme ruse deklaroi se “nuk do të qëndrojë pa reaguar ndaj asaj që po ndodh në Serbinë vëllazërore”, duke mbështetur policinë serbe në veprimet për “ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë”.