Pesë gazetarë të Al Jazeera-s u vranë në një sulm izraelit në qytetin e Gazës, mes tyre edhe korrespondenti 28-vjeçar Anas al-Sharif. Ushtria izraelite konfirmoi se e kishte shënjestruar duke e akuzuar se ishte “drejtues i një celule terroriste të Hamasit”, por televizioni Al Jazeera e cilësoi ngjarjen si një “vrasje të qëllimshme” dhe “një tjetër sulm të hapur ndaj lirisë së shtypit”.

Jeremy Bowen, redaktor ndërkombëtar i BBC-së, i cili ka parë provat e prezantuara nga Izraeli, tha se ato “nuk janë bindëse”, duke theksuar se al-Sharif kishte një histori të gjatë pune si gazetar përpara luftës.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) tha se është “i tmerruar” nga ky zhvillim, duke raportuar se që nga tetori 2023 janë vrarë 186 gazetarë në Gaza – periudha më vdekjeprurëse për median që nga viti 1992.

Drejtuesi i lajmeve në Al Jazeera, Mohamed Moawad, e përshkroi al-Sharif si “zëri i vetëm që i tregonte botës çfarë po ndodhte në qytetin e Gazës” dhe hodhi poshtë akuzat për lidhje me Hamasin: “Anas bënte një gjë – raportonte dhe u jepte zë atyre që nuk dëgjoheshin”.

 

Pamjet nga Gaza treguan turma që i jepnin lamtumirën gazetarëve, ndërsa trupat e tyre u bartën nga kompleksi spitalor al-Shifa drejt varrezave.

Qeveria izraelite vazhdon të mos lejojë hyrjen e mediave ndërkombëtare në Gaza, duke i detyruar redaksitë të mbështeten te reporterët vendas për informacione nga terreni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu