Të shtunën, rreth orës 07:00 të mëngjesit, një duzinë policësh u shfaqën në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e godinës.

Sipas gazetës Panorama, e cila është pjesë e të njëjtit grup mediatik, policia po ndalon futjen e gazetarëve në ndërtesë, ndërsa kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, për t’ia transferuar kompanisë shtetërore “KAYO”. Panorama gjithashtu raporton se televizionit i është prerë energjia elektrike.

Në orën 07:36, sinjali i News 24 u ndërpre.

KAYO është një kompani shtetërore e prodhimit dhe tregtimit të armëve, e themeluar në vitin 2024. Në 12 mars 2025, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kompanisë KAYO. News 24 është qiramarrës afatgjatë në ish-Uzinën e Autotraktorëve.

Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u shpreh i shqetësuar për veprimet e Policisë së Shtetit.

“Ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” shkruan AGSH.

“Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë,” theksoi organizata.

AGSH i bëri thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin aksionin dhe t’u garantojnë gazetarëve të News 24 qasje në ambientet e punës, si dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

I pyetur nga BIRN, zëdhënësi i Policisë së Shtetit nuk komentoi për operacionin për lirimin e mjediseve të News 24./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu