
Blerja e një banese me kredi pritet të bëhet më e vështirë gjatë muajve në vijim, pasi bankat do të shtrëngojnë kushtet e kreditimit për individët.
Në raportin e fundit mbi Aktivitetin Kreditues, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa për kredi hipotekore nga qytetarët do të bjerë në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa sistemi bankar pritet të reagojë me politika më kufizuese për këtë kategori.
“Politikat e kreditimit priten të jenë shtrënguese për individët, kryesisht në segmentin e kredive për blerjen e banesave. Në të kundërt, kërkesa për kredi e bizneseve pritet të mbetet e lartë për çdo lloj qëllimi të përdorimit”, thuhet në raport.
Ndryshe nga individët, bizneset do të përfitojnë lehtësim të kushteve të kreditimit për të gjitha llojet e huave, ndërsa kërkesa e tyre pritet të mbetet e qëndrueshme.
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, bankat ruajtën standarde të ngjashme kreditimi për bizneset krahasuar me një periudhë më parë, ndërsa për individët u raportua një nivel më i lartë miratimi të kredive, i ndikuar nga cilësia e kredimarrësve dhe stabiliteti i tyre në tregun e punës.