
Një ligj për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme ka ndezur tensione të forta politike dhe etnike në Mal të Zi. Presidenti flet për kërcënime, Gjeloshaj mohon dhe Qeveria hesht.
Në Prokurorinë Themelore në Podgoricë, janë marrë në pyetje presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe zëvendëskryeministri shqiptar, Nik Gjeloshaj, pas akuzave për mesazhe kërcënuese.
Millatoviq denoncoi në polici se më 1 gusht kishte marrë mesazhe kërcënuese nga Gjeloshaj, në lidhje me vendimin e tij për të kthyer në Kuvend ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme – një nismë e propozuar nga partitë shqiptare, përfshirë Alternativën Shqiptare, që drejtohet nga Gjeloshaj.
Ky i fundit mohoi të ketë kërcënuar presidentin dhe tha se ishte marrë në pyetje vetëm si qytetar. “Më vjen keq që presidenti na futi në këtë cirk – për qytetarët dhe strukturën politike që përfaqësoj,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Millatoviq shtoi se “kërcënimet kanë vazhduar edhe nga persona të afërt me Gjeloshajn” dhe se “është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë ushtrimit të detyrës”.
Ligji që shkaktoi përplasjen
Ligji i kthyer nga presidenti u cilësua prej tij si antikushtetues, pasi vendos norma të ndryshme tatimi për fermerët në varësi të komunave dhe përmban dispozita me fuqi prapavepruese. Ligji në fjalë, nëse miratohet sërish, do t’u japë komunave, si ajo e Tuzit (e banuar kryesisht nga shqiptarët), të drejtën të vendosin vetë normën e tatimit për tokat bujqësore.
Tensionet janë shtuar pasi Gjeloshaj i kishte dërguar Millatoviqit një mesazh ku thuhej: “Nuk është dashur të futesh në këtë çështje. Tani prite reagimin e shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”. Presidenti i publikoi këto mesazhe në platformën X (ish-Twitter), duke i cilësuar si kërcënime.
Reagime politike dhe etnike
Pas këtij zhvillimi, pati një reagim të gjerë nga partitë dhe organizatat shqiptare në Mal të Zi, të cilat e konsideruan veprimin e presidentit si diskriminues dhe anti-shqiptar. Agron Dushaj, përfaqësues i Alternativës Shqiptare, i shkroi publikisht presidentit: “Në Malësi më mirë mos u kthe, nuk do të të bëjë askush gjë, por nuk je i mirëpritur.”
Një organizatë shqiptare në SHBA e akuzoi Millatoviqin për “veprimtari të drejtpërdrejtë anti-shqiptare”, ndërsa paralajmëroi se do të njoftojë Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave e Malit të Zi mbështeti pozicionin e presidentit, duke deklaruar se ligji i propozuar dëmton fermerët dhe bie ndesh me Kushtetutën.
Qeveria në heshtje, përçarjet politike thellohen
Kryeministri Milojko Spajiq ende nuk ka reaguar ndaj thirrjes së presidentit për shkarkimin e Gjeloshajt. Marrëdhëniet mes Spajiqit dhe Millatoviqit janë përkeqësuar që prej vitit 2024, kur ky i fundit u largua nga partia Lëvizja Evropa Tani. Të dy kishin nisur karrierën politike si bashkëpunëtorë, por tani janë në dy kampe të ndara.
Situata aktuale po shihet si një krizë e re institucionale në Mal të Zi, e përkeqësuar nga tensionet ndëretnike dhe nga mungesa e një reagimi të qartë qeveritar.