
Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime për të bërë më të qartë se sa paguajnë qytetarët kur tërheqin para nga ATM-të ose kur paguajnë me kartë në pikat e shitjes (POS), sidomos kur bëhet këmbimi i monedhës.
Këto ndryshime synojnë të ndihmojnë qytetarët dhe turistët që përdorin kartat e huaja, për të shmangur surprizat nga tarifat e larta apo kursi i këmbimit të parave.
Sipas rregullores së re, çdo bankë apo kompani që ofron këmbimin e monedhës në ATM ose POS duhet të tregojë qartë para se të bëhet transaksioni:
- Sa është tarifa totale në përqindje mbi kursin zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë.
- Sa para do të marrë përfituesi në monedhën e tij dhe sa do të paguhet nga përdoruesi në monedhën e llogarisë së tij.
Informacioni duhet të jetë i thjeshtë dhe i dukshëm në ekranin e ATM-së ose POS-it.
Gjithashtu, pas çdo tërheqjeje apo pagese në monedhë të huaj, banka që ka lëshuar kartën duhet t’i dërgojë përdoruesit një mesazh elektronik me detajet e transaksionit.
Në rast pagesash online, banka duhet t’i tregojë përdoruesit tarifat dhe shumën totale para se të përfundojë pagesën.
Këto masa vijnë pas shqetësimeve të Autoritetit të Konkurrencës për tarifat e larta dhe mungesën e transparencës, duke përmirësuar mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë në pagesa.