
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, zhvilloi një vizitë në repartin e djegieve në QSUT, ku po trajtohet Shefi i Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci. Ky i fundit pësoi djegie të shumta gjatë një akti heroik për të shpëtuar disa të moshuar nga flakët që përfshinë fshatin Vergo në Delvinë.
Drejtori Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen shëndetësore të Komisar Trocit dhe ka ndjekur nga afër edhe transportimin e tij me helikopter drejt Tiranës. Gjatë vizitës në QSUT, ai u informua nga stafi mjekësor për ecurinë e trajtimit dhe i uroi atij shërim të shpejtë, duke e përgëzuar për veprimin e tij guximtar dhe human.
Në një deklaratë nga ambientet e spitalit, Proda tha:
“Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Veproi me guxim dhe përgjegjësi të lartë për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Dua të falënderoj dhe Nënkomisarin Eridion, që pësoi asfiksi gjatë ndërhyrjes dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe të gjithë punonjësit e Komisariatit Delvinë që shpëtuan dhjetëra banorë në rrezik.”
Ai vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e Komisariatit të Policisë Sarandë, që në bashkëpunim me kolegët e Delvinës, bënë të mundur evakuimin e dhjetëra qytetarëve jashtë zonave të rrezikut.
Ndërkohë, në terren vijon puna e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë për neutralizimin e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë zonat e Senicës, Vergos dhe Kopaçëzit. Drejtori i Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet gjithashtu në zonë për të koordinuar veprimet në terren.
Policia e Shtetit apelon qytetarët për kujdes maksimal në këtë situatë të rrezikshme, sidomos gjatë lëvizjeve në zona të gjelbëruara apo në kontakt me burime të mundshme zjarri. Çdo veprim i pakujdesshëm mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.
Autoritetet njoftojnë se po vijojnë hetimet për zjarrvënie të qëllimshme në disa rrethe dhe deri më tani janë arrestuar disa persona në flagrancë.