
Gjatë një vizite në Kretë, ministri i Shtetit Taulant Balla ka ndarë një moment mbresëlënës me një sipërmarrës grek, i cili thekson kontributin vendimtar të shqiptarëve në zhvillimin ekonomik të Greqisë.
Në një video të publikuar nga vetë ministri, sipërmarrësi vendas shprehet:
“Po të mos kishin ardhur shqiptarët në Kretë, të cilët janë shumë punëtorë, ekonomia e vendit tonë do të kishte ndaluar. Në çdo investim të ri që bëhet në Kretë, ka shqiptarë të përfshirë, sepse janë punëtorë të shkëlqyer. Edhe sinqerisht, po të mos ishin shqiptarët, ekonomia me të vërtetë do të kishte problem. E sheh këtë shtëpi këtu? Ishte gati për t’u shembur dhe shqiptarët e kanë rikonstruktuar.”
Ministri Balla, duke e shpërndarë këtë moment, shtoi:
“Kjo është e vërteta që grekët thonë për shqiptarët: se shqiptarët janë një popull punëtor dhe po të mos ishin ata, nuk do të ishte kështu ekonomia turistike greke. Kanë ndërtuar gjithçka dhe me duart e tyre mbajnë një peshë të madhe në Greqi.”
Sipas Ballës, kjo dëshmi tregon se Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin. “Greqia dhe ekonomia jonë do të kishin falimentuar pa shqiptarët thotë një sipërmarrës kretan. Kush akoma e dyshon këtë të vërtetë, nuk i ka sytë poshtë ballit dhe mendjen në vendin e duhur. ”
Ky reagim është një tjetër dëshmi e vlerësimit në rritje për kontributin e komunitetit shqiptar në Greqi, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe turizmit, ku ata përbëjnë një forcë të rëndësishme të punës.