
Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe autoritetet zvicerane, ka zbuluar dhe goditur një rrjet kriminal që vepronte në Shqipëri dhe Zvicër, duke u marrë me trafik droge dhe pastrim parash nëpërmjet një skeme të sofistikuar transferimi informal të njohur si “Hawala”.
Hetimet zbuluan se shtetasit E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me persona të tjerë që jetojnë në Luzern, kishin ngritur një sistem të paligjshëm për të sjellë në Shqipëri shuma të mëdha parash nga aktivitetet kriminale në Zvicër, pa lënë gjurmë zyrtare. Paratë e fituara nga shitja e drogës depozitoheshin në Zvicër dhe shpërndaheshin më pas në Shqipëri nga drejtuesit e rrjetit.
Ky sistem u përdor për vite me radhë, të paktën që prej vitit 2020, duke përfshirë dhjetëra persona dhe transferta që arrijnë miliona euro. Aktivitetet përfshinin përdorimin e agjencive turistike, zyrave të këmbimit valutor dhe zyrave të transfertave për të fshehur origjinën e parave.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre të dyshuarit. E.F ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër, ndërsa B.F dhe P.K janë arrestuar në Shqipëri më 19 korrik 2025.
SPAK bën me dije se hetimet paraprake janë ende në vijim dhe priten zhvillime të mëtejshme për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.