
TIRANA- Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për riorganizimin e institucioneve inspektuese që veprojnë në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv. Bazuar në vendim, 14 institucione ekzistuese me funksione inspektuese do t’i nënshtrohen procesit të riorganizimit, ndërsa funksionet e dy agjencive të tjera do të transferohen te inspektorate të reja qendrore, që do të krijohen në përputhje me fushat përkatëse të mbuluara nga ministritë.
Konkretisht, Institucionet që do të riorganizohen janë: Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Instituti i Shëndetit Publik.
Gjithashtu sipas vendimit, funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të kalojnë në inspektorate të reja qendrore, që do të krijohen në përputhje me ligjin e ri për inspektimin dhe strukturën e ministrive përgjegjëse.
Vendimi:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE QË RIORGANIZOHEN SIPAS LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucionet me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i nënshtrohen procesit të riorganizimit, janë, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore; b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit; c) Agjencia Kombëtare e Pyjeve; ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura; d) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve; dh) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; e) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; ë) Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës; f) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit; g) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore; gj) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor; h) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; i) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut; j) Instituti i Shëndetit Publik.
2. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit transferohen në inspektoratet e reja qendrore, që do të krijohen sipas fushave të inspektimit, që mbulojnë ministritë përgjegjëse dhe sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.