Ka përfunduar me vetëvrasjen e autorit ngjarja e rëndë kriminale që tronditi mëngjesin e së premtes fshatin Vidhisht të Roskovecit.
Policia bëri të ditur se, pas lirimit të ish-të dashurës së tij falë ndërhyrjes së forcave të rendit, negociatorët e RENEA-s, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijuan për orë të tëra përpjekjet për të bindur 35-vjeçarin R. B. që të dorëzohej.
Sipas Policisë, pavarësisht negociatave intensive që nisën që në orët e para të mëngjesit, ai refuzoi të dorëzohej. Rreth orës 16:35 dyshohet se 35-vjeçari është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Ngjarja nisi kur autori vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng vajzën, e cila u lirua më pas falë ndërhyrjes së Policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu