
Një nga figurat më të dashura për shqiptarët në periudhën e rënies së komunizmit, ish-ambasadori gjerman Werner Daum, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ai u gjet pa shenja jete në një hotel në zonën e Golemit, Kavajë, ku qëndronte prej disa ditësh.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, trupi i pajetë i diplomatit u gjet rreth orës 12:30 në dhomën e tij të hotelit. Nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të vijuar me procedurat përkatëse.
Daum ndodhej në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetin për përurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë, një figurë që ai e nderonte thellësisht.
Në një intervistë të dhënë vetëm pak ditë më parë për mediat shqiptare, Daum kishte rrëfyer me emocion veprimet e tij si ambasador në Tiranë gjatë viteve 1987-1990, periudhë kur sfidoi urdhrat e qeverisë së tij për të hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin shpëtim dhe liri nga regjimi komunist.
“E bëra sepse besova se kjo ishte e drejta dhe mënyra më e mirë për të ndihmuar shqiptarët në rrëzimin e diktaturës,” kishte thënë ai.
Werner Daum mbetet një simbol i mbështetjes së jashtëzakonshme për popullin shqiptar në një nga momentet më kritike të historisë së tij moderne, duke u kujtuar si një mik i sinqertë dhe i guximshëm i Shqipërisë.