
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, së bashku me Zonjen e Parë Melania Trump, vizituan sot Kerrville-n në Teksasin qendror, një nga zonat më të goditura nga përmbytjet vdekjeprurëse të fundjavës së kaluar. Tragjedia ka shkaktuar deri më tani 120 viktima, ndërsa 161 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur.
Trump dhe Zonja e Parë u takuan me guvernatorin e Teksasit Greg Abbott, senatorët Ted Cruz dhe John Cornyn, si dhe me drejtuesit lokalë dhe ekipet e emergjencës. Vizita e tyre erdhi mes kritikave të shumta për mënyrën se si autoritetet qendrore dhe lokale menaxhuan situatën dhe nëse qytetarët morën paralajmërime në kohë për rrezikun.
Pamjet nga zona tregojnë një shkatërrim të madh: shtëpi, rrugë dhe automjete të përmbytura, si dhe një rimorkio e përmbysur mes mbeturinave.
Gjatë vizitës, Trump mori pjesë në një tryezë të hapur me autoritetet, ku u diskutua për dëmet dhe për përpjekjet për rindërtim. Në rrugët e Kerrville-it, qindra qytetarë dolën për të përshëndetur presidentin, duke mbajtur pankarta falënderuese dhe flamuj amerikanë.
🔍 Pyetje mbi rolin e autoriteteve dhe paralajmërimet e emergjencës
Përmbytjet e fundjavës së kaluar ishin të paprecedenta, me reshje që në pak orë arritën nivelet e disa muajve dhe bënë që lumenjtë të ngriheshin me afro 30 këmbë (9 metra), duke përmbytur lagje të tëra.
Sidoqoftë, shumë qytetarë raportuan se nuk morën paralajmërime të mjaftueshme, ose nuk e kuptuan seriozitetin e tyre. Kritikët fajësojnë shkurtimet buxhetore në agjencitë federale si NOAA dhe FEMA, të cilat mund të kenë ndikuar në aftësinë për të reaguar në kohë.
🚨 FEMA nën lupë
Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) është vënë në qendër të vëmendjes pas raportimeve se çdo pagesë mbi 100 mijë dollarë kërkonte miratim personal nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, çka mund të ketë shkaktuar vonesa të mëdha në reagim.
🌍 Ndikimi i klimës nuk mund të injorohet
Ekspertët kanë theksuar se përmbytje të këtij niveli janë bërë më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike, që po sjellin stuhi më të fuqishme dhe reshje më intensive në një periudhë të shkurtër kohe.