
Qeveria ka ndërmarrë një aksion në mes të sezonit turistik për shembjen e godinave pa leje të konstatuara në fshatin turistik të Thethit në Malësi të Madhe, teksa inspektorët e IMT-së janë përballur me kundështinë e banorëve të zonës.
Sipas deputetes së PD-së, Ina Zhupa, pas këtij aksioni qëndrojnë interesa klientelistë. Ajo tha në A2 CNN se sipas informacioneve që ka, disa investitorë strategjikë austriake, ia kanë kërkuar qeverisë zonën e boshatisur për të investuar në Theth.
“E para është arroganca e një pushteti në mandatin e katërt, që nuk i intereson asgjë. Nuk i intereson imazhi i Shqipërisë, nuk i intereson jeta e qytetarëve dhe nuk i intereson zbatimi i ligjit.
Kjo ndodh sepse nuk e var fatin politik te qytetarët. E dyta, nga bindja që kam dhe informacionet që kam, në Theth po luhet me disa investitorë strategjikë, të cilët e duan zonën të boshatisur. Se cilët janë do t’i shikojmë në ditët në vijim.
Asnjë lëvizje e Edi Ramës nuk është lëvizje për interes qytetar, por gjithmonë janë lëvizje që kanë mbrapa një interes klientelist. Mund të jetë lobim ndërkombëtar, mund të jenë para “cash”, mund të jenë interesa të lidhura me familjarë të tij, por asnjëherë nuk bën lëvizje për interes të qytetarit.”, u shpreh Ina Zhupa.
Vlen të theksohet fakti se në fillim të Dhjetorit të kaluar, në Shkodër erdhi austriaku Peter Schröcksnadel, një nga investitorët e resorteve të skive në Austri e Zvicër.
Benet Beci i vuri në dispozicion një helikopter, ku së bashku me Fidel Ylli e shoqëruan në disa pika në Shalë dhe Theth për të parë mundësinë e investimeve për pista skish. Nuk dihet nëse Ina Zhupa iu referohej të njëjtëve investitorë strategjikë austriakë apo jo, ku duket se Edi Rama do iu “falë” Thethin./A2CNN