Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese është raportuar të martën në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, ku një grup pasagjerësh shqiptarë të linjës Beograd-Tiranë janë mbajtur të izoluar për më shumë se një orë brenda një autobusi në pistë, pa mundësi ajrimi dhe në temperatura të larta.

Pamjet tronditëse u bënë publike nga gazetari Blendi Fevziu në rrjetet sociale. Në video dëgjohen britmat e pasagjerëve që kërkojnë ndihmë dhe shihen skena tensioni, ku njerëzit, përfshirë gra dhe fëmijë, përpiqen të marrin frymë dhe kërkojnë ndërhyrjen e policisë serbe, e cila ndodhej jashtë autobusit, por nuk reagoi.

Një prej grave që ndodhej në autobus përshkroi situatën dramatike:
“Kemi pritur më shumë se 1 orë e 20 minuta me dyer të mbyllura në një bus plot me njerëz. Fillova nga paniku, sepse s’kishim ajër, të hapja dritaret e sipërme të busit. Megjithatë, për shkak të temperaturave dhe njerëzve të shumtë, ishte e pamundur të merrje frymë. Njerëzit filluan të revoltoheshin dhe të qëllonin xhamat me grushta, duke shpresuar se dikush do na dëgjonte. Po mbyteshim… fëmijët qanin. Në fund, vajza ime 13-vjeçare thyen një nga xhamat e autobusit për të marrë ajër.”

Deri tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet e aeroportit “Nikola Tesla” lidhur me këtë incident, ndërkohë që ngjarja ka ngjallur shqetësim për trajtimin e qytetarëve shqiptarë në territorin serb.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu