
Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë mbi ndërtimet pa leje në fshatin turistik të Thethit, ku 10 kapanone të ngritura për qëllime turistike rezultojnë të jenë financuar nga Prekë Kodra, një emër i njohur i botës së krimit, aktualisht i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i përmendur në dosjen famëkeqe “Metamorfoza”.
Burime për aia.al konfirmojnë se Kodra ka përdorur si fasadë një grua të moshuar, Lene Prroni, pronare e tokës sipas traditës familjare, por pa dokumente pronësie. Në letra, kapanonet figurojnë në emrin e saj, ndërkohë që biznesi turistik administrohet nga djali i të moshuarës dhe dyshohet se kontrollohet në prapaskenë nga Kodra.
Skandali thellohet edhe më tej, pasi Prokuroria e Shkodrës, me arsyetimin absurd se “kapanonet nuk kanë themele”, ka refuzuar të nisë hetim penal për ndërtim të paligjshëm. Megjithë raportimet e autoriteteve vendore dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, që konfirmuan ndërtimin pa leje, prokurorja e çështjes Elsa Gjeli e konsideroi shkeljen si një kundërvajtje administrative dhe jo vepër penale.
Ky vendim ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e institucioneve të drejtësisë në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe pastrimin e parave në zonat turistike, sidomos kur bëhet fjalë për persona të lidhur me aktivitete kriminale dhe plane për vepra të rënda, siç është dyshuar më herët për Kodrën.
Vetë e moshuara ka dëshmuar në prokurori se ka kërkuar leje në bashki, por nuk e ka përfituar për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë. Sipas saj, kapanonet janë ndërtuar pa themele, me qëllim që të përdoreshin si struktura turistike sezonale dhe jo si ndërtime të përhershme.
Ndërkohë, fshati i bukur i Thethit, pjesë e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, rrezikon të kthehet në një zonë ku ligji zbatohet vetëm për qytetarët e zakonshëm, ndërsa individët me precedentë të rrezikshëm gëzojnë paprekshmëri dhe mbështetje institucionale.
Rasti i Thethit është një tjetër alarm për mënyrën sesi drejtësia trajton ndërtimet e paligjshme, sidomos kur ato kanë lidhje me botën e krimit dhe përfitimet ekonomike të paligjshme në emër të turizmit.