
Një 34-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tri sipërfaqe toke pranë autostradës TEG – Tiranë, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe një karburant në afërsi.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe zjarrfikësja shkuan në vendin e ngjarjes, duke ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe identifikimin e autorit. Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua i dyshuari J. S., banues në fshatin Mjull Bathore.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia apelon qytetarët të shmangin zjarrvëniet dhe t’i denoncojnë ato menjëherë, duke theksuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe sipas ligjit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Dogji tri sipërfaqe toke dhe rrezikoi jetën e banorëve në zonë dhe 1 karburant në afërsi, vihet në pranga 34-vjeçari.
Sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në afërsi të autostradës “TEG – Tiranë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e autorësisë, si dhe për të mundësuar shuarjen e zjarrit, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse.
Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, J. S., 34 vjeç, banues në fshatin Mjull Bathore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët, që të mos ndezin zjarre, pasi reagimi i strukturave të Policisë do te jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të sanksioneve të Kodit Penal. Gjithashtu, fton që të denoncohet menjëherë çdo indicie për këtë veprimtari kriminale, me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi, si dhe të zbardhen menjëherë autorësia dhe rrethanat.