Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe procesit zgjedhor, duke deklaruar se Partia Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 2025-ës dhe se rezultati nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se PD-ja do të vijojë betejën për një qeveri teknike dhe për zgjedhje të reja, ndërsa akuzoi mazhorancën për manipulim të rezultatit dhe mungesë të theksuar transparence.

“Ky rezultat nuk shpreh në mënyrë absolute vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Dhe gjersa nuk e shpreh, nuk mund të pranohet. A i patë vetë ju? Shembulli më i fundit: rinumërimi. Ata që kanë frikë nga transparenca, që janë si qenie të errësirës, ja ku dolën. Ceno Klosi, hajdut me çizme. Ceno Klosi është Lubi Balluku,” u shpreh ai.

Berisha akuzoi më tej se mandati i një deputeteje që sipas tij ishte zgjedhur nga qytetarët, iu hoq brenda pesë orëve dhe iu dha një tjetër kandidateje, të cilës “i duhet Zegjineja”, duke nënkuptuar ndërhyrje politike dhe favorizim të personave të afërt me pushtetin.

“S’e kanë për gjë të shkelin mbi votën. Për këtë narkonomenklaturën mandatet janë letra pa vlerë. Ja si ja hoqën mandatin zonjës që e mori me votë dhe ia kaluan asaj që duhej për pazaret e partisë. Në 5 orë e bënë të pavlefshëm një mandat të fituar me votën e qytetarëve,” theksoi Berisha.

Ai përfundoi duke thënë se ky proces ka ekspozuar “fytyrën e vërtetë të regjimit” dhe se opozita do të vijojë pa kompromis betejën për rikthimin e demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu