
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord me kushtet e nevojshme për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi 60-ditor në Gaza.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump tha se gjatë kësaj periudhe “do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”. Ai nuk bëri të ditura detajet konkrete të kushteve, por shtoi se ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti do të dorëzojnë këtë propozim final.
“Shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë një më të mirë – DO TË PËRKEQËSOHET!”, shkroi Trump.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, konfirmoi se Izraeli është “absolutisht” i gatshëm për armëpushim, por mbetet e paqartë nëse Hamasi do të pranojë kushtet e propozuara.
Deklarata e Trump vjen pak ditë para takimit të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, ku Presidenti amerikan ka paralajmëruar se do të jetë “shumë i ashpër” në diskutime.
“Netanyahu dëshiron ta përfundojë këtë luftë. Besoj që do të kemi një marrëveshje javën që vjen”, shtoi Trump.
Ndërkohë, Ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, zhvilloi takime në Uashington me emisarët amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Zv.Presidentin JD Vance, me fokus në negociatat për Gaza.
Danon deklaroi për BBC se Hamasi po “luan fort” dhe se nëse nuk ulet në tryezën e bisedimeve, Izraeli nuk do të ketë rrugë tjetër përveçse të shtojë presionin ushtarak.
“Lufta do të përfundojë vetëm kur pengjet të rikthehen në shtëpi”, tha ai. Rreth 50 pengje izraelite vazhdojnë të jenë në Gaza, nga të cilët të paktën 20 besohet se janë ende gjallë.
Nga ana tjetër, Hamasi ka kërkuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza – kushte që Tel Avivi i ka refuzuar, duke insistuar se konflikti nuk mund të mbyllet pa çmontimin total të Hamasit.
Situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Vetëm këtë javë, një sulm ajror izraelit në një kafene buzë detit në qytetin e Gazës vrau të paktën 20 palestinezë. Ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, numri i viktimave nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 ka shkuar në mbi 56,600.
Ushtria izraelite po ashtu po heton raportet për civilë të vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma nga Qendra Humanitare e Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, e cila është vënë në qendër të kritikave nga mbi 170 organizata humanitare.
Në mars, një marrëveshje e mëparshme për armëpushim dështoi pas rifillimit të bombardimeve nga Izraeli, duke e cilësuar si “sulm parandalues” për të frenuar Hamasin.
Tashmë pritet përgjigjja e Hamasit, ndërsa bota mban frymën pezull për mundësinë e një armëpushimi të ri.