
Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi akuzohet se ka ndezur zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe duke vënë në rrezik zonat përreth, përfshirë edhe pyllin e mbrojtur të Sodës.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi E. I., banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, është kapur në flagrancë nga strukturat e Komisariatit të Policisë së Vlorës, pas dy rasteve të veçanta të zjarrvënies: më 30 qershor 2025, rreth orës 20:50, dhe më 1 korrik 2025, rreth orës 12:00, në vendin e njohur si “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”.
Zjarret e qëllimshme janë përhapur në një zonë me mbetje urbane, duke krijuar ndotje të ndjeshme në ajër, dhe rrezik real për banesat përreth si dhe për ekosistemin e pyllit të Sodës, i cili është zonë e mbrojtur nga shteti.
Ndaj të arrestuarit janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, e parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.
Policia e Vlorës ka bërë apel për kujdes maksimal nga qytetarët, duke theksuar se çdo veprim që cenon mjedisin, jetën e qytetarëve apo pronën publike dhe private, do të përballet me forcën e ligjit. Institucioni fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie në numrin emergjent 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.