Tropojë, 25 Qershor 2025 – Vijojnë hetimet për plagosjen me mjet prerës të një 23-vjeçari, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në fshatin Dojan, Tropojë. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, si dhe ka sekuestruar provat materiale të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Kukës, janë arrestuar:

  • O. L., 18 vjeç, banues në Bajram Curri, i dyshuar si autori i plagosjes me thikë, i proceduar për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë;
  • A. H., 21 vjeç, banues në fshatin Dojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas të dhënave zyrtare, O. L. është konfliktuar me shtetasin A. B., 23 vjeç, dhe e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë. Motivi i ngjarjes mësohet të jetë një debat për arsye të dobëta.

I plagosuri, A. B., është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, Policia ka gjetur një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, për të cilën është proceduar në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar thika e dyshuar e përdorur në ngjarje, sasia e lëndës narkotike dhe dy automjete të përfshira në konflikt.

Hetimet janë në vijim, nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore të palëve të përfshira.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu