
Ukraina shënon ditën e 1.216-të të luftës. Shërbimet sekrete ukrainase kanë deklaruar se kanë parandaluar një atentat të ri ndaj presidentit Volodymyr Zelensky, i cili ndodhej në Britani, në një takim zyrtar me Mbretin Charles në Kështjellën Windsor. Tentativa për atentat, sipas autoriteteve, ishte planifikuar në territorin polak.
Ndërkohë, një valë e re sulmesh ajrore ka goditur kryeqytetin ukrainas, Kievin. Autoritetet lokale raportojnë për një bilanc tragjik: 9 të vrarë, mes tyre edhe një vajzë 11-vjeçare, si dhe dhjetëra të plagosur nga shpërthimet e dronëve dhe raketave ruse.
Nga ana tjetër, në Bjellorusi, opozitari Sergei Tikhanovsky – i burgosur që prej vitit 2020 – është liruar, ndërkohë që mbi një mijë të burgosur politikë mbeten ende pas hekurave. Bashkëshortja e tij, Svetlana Tikhanovskaya, falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe BE-në për ndërhyrjen dhe mbështetjen.
Presidenti Zelensky deklaroi sot se inteligjenca ushtarake ukrainase ka regjistruar përgatitje të reja nga Rusia për operacione ushtarake në territore të tjera evropiane. Ai e bëri këtë të ditur përmes një mesazhi në Facebook, pas marrjes së një raporti të detajuar nga shefi i inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov.
Ndërkohë, në një qëndrim sfidues, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot: “Rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm. E gjithë Ukraina është tokë e jona.” Ai përsëriti retorikën për “eliminimin e elementëve nazistë nga udhëheqja e Kievit”.
Italia, përmes përfaqësuesit të saj në OKB, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për një “armëpushim të menjëhershëm” dhe “hapje kanalesh diplomatike për ndaljen e agresionit”. Situata në rajon mbetet tepër e tensionuar, me frikën e zgjerimit të luftës në hapësira të tjera të Evropës Lindore.