
Pas një pune të pandërprerë dhe përpjekjesh intensive, është arritur të vihet nën kontroll zjarri që përfshiu malin e Krastës në Elbasan. Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vijojnë angazhimin në terren për izolimin e plotë dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura.
Monitorimi i situatës vazhdon me vëmendje të shtuar për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve, për shkak të kushteve atmosferike dhe erës.
Në këtë operacion u angazhuan 12 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël, Elbasan.
Strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.
Autoritetet bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo sinjal zjarri, për të shmangur përhapjen e flakëve dhe dëmet që ato mund të shkaktojnë.