
LONDËR – Pas suksesit të Partisë Socialiste në votën e diasporës më 11 maj, Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla i është rikthyer takimeve me komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke e nisur me një ndalesë të rëndësishme në Londër turneun e tij të falënderimeve.
Në një darkë festive mes qindra shqiptarëve të suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Balla shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përfaqësimin dinjitoz që diaspora i jep imazhit të Shqipërisë në botë.
“Këta këtu sonte janë shqiptarët e vërtetë të Londrës, që e bëjnë krenar Shqipërinë dhe shqiptarët. Prandaj: rrofshi ju dhe familjet tuaja në Shqipëri. Shumë mirënjohje të gjithëve!”
View this post on Instagram
Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku ishin të pranishëm sipërmarrës, profesionistë dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Londër, Balla theksoi se suksesi i tyre nderon Shqipërinë dhe shqiptarët, duke edhe shprehur dëshirën që darka të tilla, të cilat janë mesazhe shumë të bukura për gjithë diasporën, për gjithë shqiptarët kudo që janë, të kthehen në një traditë të bukur.
“Sepse vetëm kështu ne mund t’u tregojmë jo vetëm britanikëve, por të gjithë botës se kush janë shqiptarët e vërtetë,” u shpreh Balla në Londër.
Takimet me diasporën do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me ndalesa të planifikuara në Itali dhe Greqi, dy nga vendet me përqendrimin më të madh të shqiptarëve jashtë kufijve.
Partia Socialiste shënoi një rezultat të shkëlqyer në votën e diasporës në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku fitoi mandatin e katërt. Rezultati nga diaspora, e cila i dha Partisë Socialiste 122.255 vota, apo 61.14% të votave nga jashtë, konsiderohet si një tregues i qartë i mbështetjes që komunitetet shqiptare jashtë vendit i japin kësaj force politike.