Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, është lënë në arrest me burg nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 40-vjeçari u ekstradua së fundmi nga Dubai, ku u arrestua pas më shumë se një viti në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe vjedhje, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Së bashku me të, nga Emiratet e Bashkuara u ekstradua edhe Armes Stafa, i dyshuar për pastrim parash dhe i lidhur me grupin e Çapjave në Elbasan. Ndryshe nga Dumani, Stafa u la në arrest shtëpie, pasi mbrojtja solli prova se në kohën e krimit ndodhej në Itali, në izolim për shkak të COVID-it.

SPAK dyshon se Dashnor Dumani ka qenë një nga ekzekutorëtmasakrën e trefishtë të Bradasheshit në vitin 2018, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i një tjetër të penduari, Erjon Alibej. Ky i fundit ka dëshmuar se ka rekrutuar Nuredin Dumanin si vrasës me pagesë, për të eliminuar rivalët, ndër ta edhe Talo Çelën, një nga emrat më të kërkuar të botës së krimit në Shqipëri.

Gjykata dhe hetuesit pritet të vlerësojnë në ditët në vijim nëse edhe Dashnor Dumani do të zgjedhë të bashkëpunojë me drejtësinë, nëse do të tregojë për përfshirjen në ngjarje të tjera si grabitja e Rinasit, apo për lidhjet me rrjetin e gjerë të trafikut dhe vrasjeve me pagesë.

Rikthimi i tij në Shqipëri pritet të hapë një kapitull të ri në hetimet për grupet kriminale që operuan për vite me radhë të lidhur me njëri-tjetrin, përmes pagesave, besnikërisë së verbër dhe rrëfimeve që mund të ndryshojnë rrjedhën e shumë proceseve penale në vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu