Një vatër e re e murtajës është konfirmuar në Zallbastar të Tiranës, duke zgjeruar hartën e zonave të prekura nga kjo sëmundje e rrezikshme tek bagëtitë në vend.

Sipas njoftimit të fundit të Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), deri më tani janë identifikuar 7 ferma të prekura5 vatra shpërthimi, me një total prej 882 krerësh bagëti të infektuar. Këto po asgjësohen sipas protokolleve zyrtare për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

AKVMB u bën apel të gjithë fermerëve të tregojnë kujdes maksimal, duke mos lëvizur bagëtitë, mos kryer shit-blerje në ferma të tjera dhe të respektojnë në mënyrë strikte masat e bio-sigurisë.

Agjencia thekson se këto masa janë vendimtare për mbrojtjen e tufave, si dhe për të frenuar përhapjen e një sëmundjeje ngjitëse dhe potencialisht shkatërrimtare për sektorin e blegtorisë shqiptare.

Sëmundja ngjitëse e njohur si murtaja e ruminantëve të vegjël, që prek dhitë dhe delet, po përhapet me ritme alarmante në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm numrin e kafshëve të asgjësuara. Deri më tani, janë groposur rreth 1,000 krerë, ndërsa zonat e infektuara kanë arritur në gjashtë bashki të vendit.

Instituti i Shëndetit Veterinar dhe Ushqimit (ISUV) ka konfirmuar zyrtarisht përmes analizave laboratorike se rasti më i fundit është regjistruar në Zallbastar të Tiranës, duke zgjeruar hartën e përhapjes drejt qendrës së vendit.

Vatra e parë u identifikua në Postribë të Shkodrës, më pas në Dibër, Bulqizë, Korçë, Berat (Skrapar) dhe së fundi në Tiranë. Në çdo rast të konfirmuar, autoritetet veterinare ndërhyjnë menjëherë për asgjësimin total të tufave, duke përdorur mjete të posaçme për eliminimin e kafshëve dhe frenimin e virusit.

Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar pezullimin e tregjeve të gjësë së gjallë dhe panaireve, ndërsa fermerët që operojnë në zonat e prekura janë paralajmëruar të ndalojnë lëvizjen e kafshëve pa leje veterinare.

Megjithatë, sëmundja vijon të përhapet, dhe fermerët dyshojnë se shkaku është kontrabanda e kafshëve dhe përdorimi i certifikatave të falsifikuara shëndetësore, ku si origjinë shpesh figuron Rumania.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu