
Berat – Një operacion i mirëorganizuar antidrogë i koduar “Orders” është finalizuar me sukses nga Policia e Beratit, duke çuar në pranga dy të rinj të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi disamujor të zhvilluar me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit. Në kuadër të operacionit, Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca “Shqiponja” arrestuan shtetasit K. N., 21 vjeç dhe Nj. A., 19 vjeç, të dy banues në Berat.
Sipas hetimeve, të rinjtë ishin të përfshirë në shpërndarjen e dozave të Cannabis Sativa në qytet. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesën e 21-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 330 doza Cannabisi, ndërsa 19-vjeçari u kap me një sasi të kësaj lënde narkotike dhe 2 thika në banesën e tij.
Po ashtu, në vijim të hetimeve, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për babanë e 21-vjeçarit, shtetasin A. N., 44 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën fishekë luftarak të mbajtur pa leje.
Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar:
330 doza Cannabis Sativa
Një sasi tjetër e kësaj lënde
2 mjete prerëse (thika)
Disa fishekë
7 celularë dhe 1 automjet
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme