Autoritetet veterinare shqiptare kanë konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në vendin tonë. Rasti është identifikuar në një fermë me dhi në njësinë administrative Postribë, në qarkun Shkodër.

Sipas njoftimit zyrtar, mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku është konfirmuar prania e virusit PPR, një sëmundje infektive që prek ruminantët e vegjël – kryesisht delet dhe dhitë.

Masat e marra nga autoritetet

Pas konfirmimit, janë ndërmarrë menjëherë masat e përcaktuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, përfshirë:

  • Izolimin e fermës së prekur
  • Kufizimin e lëvizjes së kafshëve
  • Mbikëqyrjen e zonave përreth
  • Informimin dhe ndërgjegjësimin e fermerëve

Thirrje për kujdes dhe bashkëpunim

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të deleve dhe dhive që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve.

Nëse vërehen simptoma si:

  • Temperaturë e lartë
  • Rrjedhje nga hunda
  • Inflamacion i syve
  • Ulje e oreksit
  • Diarre
  • Ngordhje të papritura

➡️ Duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal ose të kontaktohet numri falas: 0800 3366.

Sqarim për publikun

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë thekson se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk transmetohet tek njerëzit, pra nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Institucionet përgjegjëse do të vijojnë ndjekjen e situatës në terren dhe do të informojnë publikun në mënyrë të rregullt për çdo zhvillim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu