
Katjel, Prrenjas – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në minierën e kromit në fshatin Katjel, ku një minator ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një masivi dheu.
Viktima është identifikuar si Syrja Bego, 58 vjeç, i cili dyshohet se është zënë poshtë nga shembja e papritur e tavanit të galerisë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00, teksa po punohej në një nga galeritë e minierës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për nxjerrjen e trupit dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike. Po ashtu, janë nisur hetimet për të verifikuar nëse janë shkelur rregullat e sigurisë në punë.
Miniera e kromit në Katjel është në administrim të një kompanie private. Sipas burimeve, miniera nuk ka qenë aktive për disa ditë dhe punimet janë rifilluar së fundmi, kur ndodhi edhe tragjedia.
Policia dhe prokuroria po hetojnë mbi shkaqet e aksidentit dhe mbi përgjegjësitë e mundshme që lidhen me zbatimin e protokolleve të sigurisë në këtë aktivitet të rrezikshëm.