Grupi palestinez Hamas ka propozuar lirimin e disa pengjeve izraelite në kuadër të një marrëveshjeje të re për armëpushim në Rripin e Gazës, pas rifillimit të negociatave të shtunën, vetëm pak orë pas nisjes së një ofensive të re të ushtrisë izraelite.

Një zyrtar palestinez i tha BBC-së se Hamas është i gatshëm të lirojë nëntë pengje në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Marrëveshja e propozuar parashikon gjithashtu lejimin e hyrjes së 400 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë dhe evakuimin e pacientëve nga Gaza për trajtim mjekësor.

Në këmbim, Izraeli ka kërkuar prova jete dhe informacion të detajuar për të gjithë pengjet e mbetur.

Negociatat po zhvillohen në Doha me ndërmjetësimin e Katarit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe nisën të shtunën pasdite sipas orës lokale. Deri tani, Izraeli nuk ka reaguar zyrtarisht për propozimin e ri, por para fillimit të bisedimeve kishte bërë të ditur se nuk do të tërheqë trupat nga Gaza dhe nuk do të angazhohet për përfundimin e luftës — elementë që, sipas BBC-së, nuk përfshihen në këtë marrëveshje të re.

Ushtria izraelite njoftoi më herët të shtunën nisjen e një ofensive të re të quajtur “Operacioni Karrocat e Gideonit”, duke kryer valën më të përgjakshme të sulmeve në Gaza prej muajsh.

Sipas ekipeve të shpëtimit në terren, që nga e enjtja janë vrarë të paktën 300 persona, përfshirë në spitale dhe kampe refugjatësh në veri dhe jug të Gazës.

Që nga 18 marsi, kur dështoi një armëpushim dy-mujor, Izraeli ka rifilluar ofensivën e gjerë, me mijëra viktima të raportuara dhe përkeqësim të thellë të situatës humanitare. Agjencitë e ndihmës ndërkombëtare paralajmërojnë se për më shumë se 10 javë janë bllokuar furnizimet me ushqime dhe ndihma të tjera jetike për Gazën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pati deklaruar më herët këtë muaj se do të ndërmarrë një përshkallëzim të madh ushtarak, me synim marrjen nën kontroll të territoreve në Gaza, zhvendosjen e popullsisë palestineze drejt jugut dhe “shkatërrimin” e Hamasit.

Gazetarja Ghada Al Qurd, duke raportuar drejtpërdrejt nga Gaza për BBC-në, tha se në veri dhe lindje të territorit ka “sulme ajrore, bombardime, drone, të shtëna dhe shpërthime të shumta”.

“Është e tmerrshme dhe e frikshme,” tha ajo, duke shtuar se familja e saj po arrin të konsumojë vetëm një vakt në ditë për shkak të mungesës së ushqimeve dhe rritjes marramendëse të çmimeve. Ajo akuzoi Izraelin për “përdorimin e ushqimit si armë”, një akuzë që është bërë gjithashtu edhe nga zyrtarë të OKB-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu