TIRANË, 16 Maj 2025 – Protesta e Partisë Demokratike në Tiranë, e zhvilluar për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, ka shënuar një incident të rëndë dhe të paprecedentë ndaj përfaqësuesve të medias. Gazetarja e Euronews Albania, Sara Demushi, dhe ekipi i saj janë përballur me pengesa, ofendime dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta, teksa po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Refuzimi i parë erdhi nga deputeti Edi Paloka, i cili kërkoi largimin e kamerës dhe nuk pranoi të fliste për Euronews. Më pas, Aldo Bumçi dhe Klevis Balliu reaguan në mënyrë të ngjashme, duke u shprehur hapur kundër pranisë së kësaj mediaje në protestë. Balliu madje akuzoi ekipin e Euronews për “dhunë ndaj qytetarëve” vetëm për shkak të drejtimit të kamerës në drejtim të protestuesve.

Situata u tensionua më tej kur disa protestues u përpoqën të bllokojnë pamjet e kamerës, ofenduan gazetaren dhe shtynë operatorin, duke e penguar të kryente detyrën e tij. Kjo çoi në tërheqjen e përkohshme të ekipit të Euronews Albania nga raportimi në terren.

Pas incidentit, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi menjëherë, duke dënuar me forcë sulmet ndaj medias dhe i bëri thirrje drejtuesve të PD-së të ndalojnë menjëherë çdo formë presioni ndaj gazetarëve. “Këto veprime janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë lirinë e shtypit”, thuhet në reagimin zyrtar të AGSH-së.

Euronews Albania ishte i pranishëm në protestë për të pasqyruar shqetësimet e qytetarëve dhe opozitës për zgjedhjet, në përputhje me misionin e tij për raportim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Ndërkohë, protesta e opozitës përkoi me zhvillimin në Tiranë të Samitit të Komunitetit Politik Europian, ku ishin të pranishëm edhe liderë të rëndësishëm evropianë.

Ky incident ngre shqetësime serioze mbi respektimin e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në terren, sidomos në ngjarje të karakterit politik dhe protestues.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu