Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpallur një protestë të madhe më 16 maj në orën 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një deklaratë të fortë, Berisha e cilësoi këtë protestë si një mesazh për opinionin publik ndërkombëtar, për të denoncuar atë që ai e quan “krimet monstruoze elektorale të Edi Ramës”.

“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet më 16 maj. Protesta do të jetë paqësore, por do të jetë zëri i një populli që nuk pranon të votojë nën kërcënimin e armëve, nën presionin e bandave dhe nën dhunën e një narkodiktature,” – tha Berisha.

Ai u bëri thirrje komisionerëve të opozitës që të vijojnë numërimin e çdo vote me përkushtim dhe të dokumentojnë çdo parregullsi të procesit. “Të regjistrojnë çdo shkelje, çdo shantazh, çdo presion – sepse vota është e shenjtë, dhe për këtë betejë nuk do të ndalemi,” – u shpreh ai.

Berisha akuzoi kryeministrin Rama për transformimin e shtetit në një “monstër elektoral” dhe për përdorimin e administratës, parave publike, dhe grupeve kriminale në shërbim të manipulimit të zgjedhjeve.

“Në këto zgjedhje, zarfi me 100 euro, gjobat me miliona euro, lejet për kanabis dhe bandat ishin armët për të vjedhur votën. Këto nuk janë zgjedhje, por një farsë që nuk pranohet. Ne jemi forcë politike sovrane dhe nuk pranojmë kutitë me 99.6% për PS-në si në Korenë e Veriut,” – deklaroi Berisha.

Duke folur për rolin e ndërkombëtarëve që do të jenë të pranishëm në samit, Berisha theksoi se protesta është një mesazh i qartë për ta: “Ata duhet të dëgjojnë zërin e një populli që kërkon të votojë i lirë. Nuk jemi këtu për t’u përkulur para padrejtësisë, por për të mbrojtur demokracinë.”

Protesta e 16 majit, sipas Berishës, është vetëm fillimi i një beteje që nuk ndalet, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive dhe për qëndresë qytetare në mbrojtje të votës së lirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu