Në përmbyllje të fushatës elektorale, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim në Durrës, ku përmes një mesazhi të fuqishëm bashkimi dhe europianizimi, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 11 majit.

“Shqipëria sot ka nevojë për një fuqi që të jetë përtej partive, ku të majtë e të djathtë nuk shohin njëri-tjetrin, por shohin bashkë drejt përpara,” deklaroi Rama, duke iu drejtuar me një apel të veçantë edhe votuesve demokratë.

Ai theksoi rëndësinë historike të këtij momenti për vendin:
“Në 11 maj nuk do të zgjedhim thjesht për qeverinë, do të zgjedhim për historinë. Kemi mundësinë që ta vendosim Shqipërinë në familjen europiane deri më 2027 – nuk duhet ta lëmë këtë derë të mbyllet pa hyrë brenda.”

Rama vlerësoi gjithashtu Durrësin si një qytet kyç në rrugën drejt integrimit europian, duke kujtuar rolin e tij në historinë shqiptare si porta e Perëndimit:
“Durrësi ka qenë gjithmonë Europa e Shqipërisë. S’mund të lejojmë që qytetarët e tij të mbeten peng të një politike të vjetër, të një politike që nuk ka më as fuqi as frymë.”

Takimi u mbyll me një moment surprizë për publikun durrsak. Pas fjalimit, Rama ftoi në skenë reperin Noizy, duke dhënë një performancë të papritur në duet me të, përpara një turme të entuziazmuar.

“Jo më fjalime! Dua të këndoj bashkë me Noizy-n edhe me ju, se Noizy e ka qarë këngën!” – tha Rama, ndërsa sheshi shpërtheu në duartrokitje dhe thirrje: “Qepalla Durrësi!” dhe “Pesa në 11 maj!”

Atmosfera festive dhe entuziazmi i lartë e kthyen mbrëmjen në një manifestim të gjerë popullor, ku politika dhe muzika u ndërthurën për të përcjellë një mesazh të qartë: një Shqipëri më e bashkuar, më dinjitoze dhe më pranë Europës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu