
Një 68-vjeçar është marr peng në mes të qytetit të Tiranës dhe 5 autorët e kanë mbajtur në një banesë të mbyllur në këmbim të 2 mln lekëve të rinj për ta liruar. Policia ka arritur që të vërë në pranga 5 autorët, dy vëllezërit Klinton e Sulejman Sina, 21 dhe 31 vjeç, Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli 32 vjeçe.
68-vjeçari Edvar Agalliu ka qenë në qendër në mes të qytetit të Tiranës, në një prej rrugëve më të populluara, “George W. Bush”, kur 3 prej autorëve kanë ndaluar makinën dhe e kanë marrë me forcë. Pasi e futën në automjet, Sulejman e Klinton Sina dhe Idajet Mashollari janë larguar në drejtim të fshatit Kakunjë, ku e kanë izoluar 68-vjeçarin në një banesë të braktisur për 5 orë.
Konfikti mes tyre ka nisur në rrugë, ku njëri prej autorëve ka pretenduar se i ka ngacmuar të fejuarën, Nikoleta Begollin, dhe nga debati me kundërshti nga ana e 68-vjeçarit e kanë marrë me zor në makinë dhe e kanë dërguar në një fshat në kufi me Elbasanin. 68-vjeçari para hetuesve ka deklaruar se vetëm e njihte Begollin, por nuk e ka ngacmuar asnjëherë, por të kundërtën ka deklaruar vetë 32-vjeçarja.
Burri pasi është marrë, nuk është dhunuar, por vetëm lidhur dhe i është bërë presion. Pasi e mbajtën peng në banesën e barktisur, autorët kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit dhe i kanë kërkuar 2 mln lekë të rinj. 68-vjeçari ka telefonuar gruan për të sjellë paratë dhe më pas është liruar. Bashkëshortja i ka dorëzuar shumën Bajram Ibraliut në zonën e Saukut në Tiranë.
I gjithë momenti i pengmarrjes është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të gjithë autorëve. Njëri prej autorëve ka dëshmuar në Policinë e Tiranës se 68-vjeçari i ka ngacmuar të fejuarën, Nikoleta Begollin.
Nga kontrollet që ka ushtruar policia, në banesat e 5 autorëve dhe mjetin me të cilin lëviznin Nikoleta Begolli dhe Sulejman Sina, ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e 68-vjeçarit. Po ashtu, në banesën ku u mbajt peng, është gjetur edhe litari me të cilin ishte lidhur 68-vjeçari.
“Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi.
Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve. Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./shqiptarja