
Në një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vlerësuar figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë – dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje,” – u shpreh Presidenti Begaj, i cili është pritur dy herë në audiencë nga Ati i Shenjtë.
Kreu i shtetit shtoi se do të ruajë në kujtesë takimet me Papën Françesku dhe u bashkua me lutjet e miliona besimtarëve në Shqipëri dhe mbarë botën për paqen e shpirtit të tij:
“Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!” – përfundoi mesazhin e tij Presidenti.
Me një postim të shkurtër i thotë lamtumirë edhe kryeministri Edi Rama:
“Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë”
Edi Rama ka ndërprerë edhe takimin elektoral në Kavajë, pasi mori njoftimin se Papa Françesku u nda nga jeta.
“Më erdhi një mesazh këtu tani, më vjen shumë keq, ka ndërruar jetë Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm, unë kam pasur një raport personal me të, më çonte vazhdimisht mesazhe dhe më vjen jashtëzakonisht keq, ai zgjodhi të vizitonte Shqipërinë jashtë Vatikanit pasi u zgjodh Papë”.
“Pas një takimi që patën, ai kaloi në Shqipëri një ditë që e konsideronte të paharrueshme tha dhe fjalën e paharrueshëm që Shqipëria ka vëllazëri fetare, besoj kam mirëkuptimin këtu ta nderoj me një minute heshtje dhe ta ndërpresim këtu takimin”, ka deklaruar Rama.
Për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, reagon Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali.
“Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan znj. Spiropali.
Edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ngushëllon për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Ati i shenjtë i katolikëve, që mbylli sytë në moshën 88-vjeçare, sapo besimtarët kremtuan Pashkën, ishte një mik i madh i shqiptarëve. Shqipëria ishte vendi i parë që ai vizitoi në Europë kur u zgjodh pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI.
Argentinasi Jorge Mario Bergoglio u bë Papa i parë nga Amerika Latine dhe u shqua për përulësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve. Ai ishte një figurë unifikuese që punoi pa pushim për paqen, drejtësinë sociale dhe dialogun ndërfetar.
“U prehsh në paqe, Papa i Popullit, Papa Françesku, zëri i të varfërve i cili çeli një faqe të re për Kishën Katolike.
Papa Françesku do të kujtohet gjithmonë për dashurinë e tij për jetën, përpjekjet për paqen dhe angazhimin e pandërprerë për drejtësi dhe barazi sociale,” shkruan ministri Balla në një postim në Facebook, shoqëruar me një foto që përjetëson vizitën historike të Papa Françeskut, shtatorin e vitit 2014 në Tiranë, ku mbajti dhe meshën në sheshin “Nënë Tereza”.
Në Shqipëri, Papa Françesku inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane, dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë.
Ndërsa kreu i PD, Sali Berisha nderoi Papën duke mbajtur një minutë heshtje në fillim të takimit elektoral në Pukë:
“Miq, para se të fillojmë këtë takim elektoral, u ftoj të nderojmë me një minutë heshtje një burrë të madh të njerëzimit, një mik të shquar të kombit shqiptar, Papa Françeskun, i cili u nda sot nga jeta.
Krishterimi, mbarë njerëzimi, shqiptarët kanë humbur sot një kolos të mendimit, të besimit tek Zoti, por edhe të dashurisë dhe respektit për njeriun.
I përjetshëm kujtimi i shenjtërisë së tij, Papa Françeskut!|
View this post on Instagram
Papa Francesku shkeli tokën shqiptare, plot 21 vjet pas vizitës së Papës tashmë shenjtor të Kishës Katolike, Gjon Pali i II-të.