Një 38-vjeçar nga Lushnja, Marin Leka, ka rënë në prangat e policisë pas akuzave për blerje vote në favor të Partisë Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha. Sipas burimeve zyrtare, Leka i kishte ofruar 500 euro qytetarit Muharrem Toska në këmbim të votës, ndërsa partia që ai përfaqëson garon në këto zgjedhje me një koalicion prej 26 partish aleate.

Rasti është zbuluar falë denoncimit të vetë qytetarit Toska, i cili ka njoftuar menjëherë Policinë e Lushnjës për përpjekjen e paligjshme të Lekës. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i kanë gjetur Lekës edhe kartën e identitetit të denoncuesit, e cila dyshohet se do të përdorej për qëllime elektorale të paligjshme.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lushnjës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa autoritetet kanë theksuar se po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse pas këtij rasti fshihen persona të tjerë të përfshirë në tentativat për shitblerje vote.

Njoftimi i Policisë:

I premtoi një shtetasi, dhënien e një shume parash, dyshohet për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik, vihet në pranga 38-vjeçari.

Sekuestrohet karta e identitetit e shtetasit që i ishin premtuar paratë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme./tvklan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu