Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Bruksel, si pjesë e turit të tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe u fokusua te rëndësia e përfshirjes së diasporës në proceset politike dhe zhvillimet europiane të Shqipërisë. Balla tha se pjesëmarrja e diasporës mund të përkthehet në rreth 24 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.

“Më në fund, më 11 maj ne do të kemi një çerek milioni shqiptarë të cilët janë regjistruar në të gjithë botën. Numri i Brukselit dhe i Belgjikës nuk ishte ai që unë do të kisha dashur të ishte në fakt, është një numër i vogël, por megjithatë edhe këtu në këtë sallë sot ka plot prej jush që e kanë kryer këtë detyrë ndaj atdheut. Dhe unë nuk hezitoj ta them, e kam thënë prej ditës së parë, kam qenë më optimisti nga të gjithë politikanët shqiptarë, ndoshta sa i përket këtij numri sepse e thashë prej ditës së parë, ky numër do të shkojë përtej 200 mijë dhe në fakt u bë çerek milioni, 246 mijë për të qenë korrekt. Dhe si herë e parë kjo është arritje e madhe. Është një arritje e madhe për shkak të faktit që koha në dispozicion qe shumë e shkurtër. Nëse do të bënim llogaritë, nëse do të votonin ose nëse zarfin me votën e tyre do ta çojnë të 246 mijë zgjedhësit në diasporë, këto mandate përkthehen në 24 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në një farë mënyre vota e diasporës çon në Kuvendin e Shqipërisë 24 mandate. Sigurisht këto nuk janë 24 të drejtpërdrejta sepse këto ndërthuren me votat në vend, por kjo tregon një peshë të re, të madhe po merr diaspora.”

Gjatë fjalës së tij në kryeqendrën e Bashkimit Europian, Balla shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke vënë theksin te roli gjithnjë e më i rëndësishëm i diasporës në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Shqipërisë. Ai nënvizoi se në vitin 2024, remitancat nga emigrantët arritën shifrën rekord prej 1 miliard euro, ndërsa u ndal dhe te një çështje që prek të gjithë bashkatdhetarët, pensionet.

“E mbyllëm marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë, se dhe këtu kemi nga ata që kanë punuar në Itali dhe kanë ardhur këtu, por një shumicë kanë qenë në Greqi dhe vështirësinë që kemi me Greqinë mund ta tejkalojmë duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe prej atij momenti përfiton nga kartat e rregullat e Bashkimit Europian.”

Më tej Balla u ndal tek objektivi i qeverisë për të rritur pensionin mesatar në 400 euro gjatë këtij mandati të ri. Ai vuri në dukje progresin e bërë që nga viti 2013, si dhe reformat që kanë përmirësuar sistemin, ndërsa premtimet e partive të tjera i cilësoi të ngjashme me firmat piramidale.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2025 u shtuan shqiptarë që paguajnë kontribute për sigurime shoqërore 300 mijë. Pra, në atë kohë paguanin sigurime 1 milion, tani paguajnë 1.3 milion dhe kjo ka kontribuar që ne të kemi sot më shumë mundësi që të rrisim sado pak pensionet. Ne do t’i rrisim pensionet, do ta bëjmë 400 euro pensionin mesatar në këtë mandat të ri, por ne nuk jemi nga ata që themi do ta bëjmë nesër sepse e dimë fare mirë që kjo nuk bëhet dot nesër sepse ata që thonë do ta bëjmë nesër janë njëlloj si ata, mbani mend se ç’ishin 3-4 veta që thonin jepi 100 mijë lekë sot dhe merri pas 3 muajsh 300? Fundi i atyre dihet si është dhe më e keqja është që janë edhe kështu, bëmë baba të të ngjaj, mirë bufin sepse bufin e dimë të gjithë. Bufi kishte për program Suden edhe çfarë quhej ai tjetri, Vefën, Xhaferrin, Gjallica, ç’ishte një Populli po, Populli jo, ku di unë se ç’ishte dhe një tjetër. Mirëpo janë dhe këta gjoja si të rinj, fytyrën kanë të re se nga brenda janë e njëjta blozë që thonë të njëjtën gjë “do vijmë ne do ta bëjmë..”, ore si do ta bëjmë? Do i japim çdo shqiptari thotë 200 euro, por bëji njëherë llogaritë, si mund t’i japësh? Mirë do ishte të jepeshin, por çdo shqiptari 200 euro? Por jemi 3 milion, si do t’i marrin këta kështu?”

Balla sqaroi edhe një perceptim të gabuar që shpesh e bën çmimin e karburantit në Shqipëri më të shtrenjtë se në vendet e tjera të rajonit.
“Ne e kemi gjetur një formulë që, në fakt, është caktuar në Shqipëri që kur ishte BuFi në pushtet dhe kishte për ministër financash Ridvan Boden. U caktua në atë kohë që do të vendosej te çmimi i karburantit dhe është një taksë progresive, sepse ai që harxhon më shumë naftë, pra përdor më shumë rrugët, paguan më shumë, dhe ai që përdor më pak, paguan më pak. Se shqiptarët e morën me shaka kur biznesmeni ia tha atë 8 për qind për dividendin dhe tha që do ta ulim, do ta bëjmë 10 kur është 8. Është fiks shembulli më i thjeshtë i një pale që program nuk ka. Meqë e keni dhe BuFin në Bruksel, bëni këtë pyetje dhe atij. Do ta heqim, thotë ai. Thuaji ndonjë gjë të pamundur, do të thotë: do e bëj,” tha Balla.

Në fund Balla u kujtoi pjesëmarrësve në takim rëndësinë e dërgimit me postë të fletëvotimit sa më parë dhe sigurisht duke votuar alternativën e vetme që e çon Shqipërinë vetëm përpara drejt BE, numrin 5, Partinë Socialiste.

“Ka një afat, duhet të mbërrijë në Shqipëri në 11 maj ora 19:00, pas këtij momenti quhet e pavlefshme. Për të votuar nuk është e vështirë, disa prej jush nuk kanë votuar asnjëherë, është një letër paksa e madhe, por mos shihni as majtas, as djathtas por mbajeni aty tek 5-a edhe në rregull është. Votoni Partinë Socialiste. Faleminderit të gjithëve.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu