Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, në një takim me mbështetësit e Partisë Socialiste në Athinë, deklaroi se pasaporta e BE-së është e mundur vetëm me votën për Partinë Socialiste. Balla i falënderoi ata për ndihmën në realizimin e këtij procesi.

“Është bërë një punë e shkëlqyer! Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh janë regjistruar jo vetëm në Athinë dhe Atiki, por edhe në Selanik, ishujt grekë, Patra dhe Peloponez. Disa mund të thonë se mund të kishte më shumë, por le të mos harrojmë se kjo është hera e parë. Ju e mbani mend kur u takuam për herë të parë në shtator? Shumë prej jush ishit dyshues nëse vota e diasporës do të realizohej.”

Balla shpjegoi mënyrën e votimit dhe detajet teknike të procesit të votimit, që nis me mbërritjen e fletës së votimit me postë në fillim të prillit.

“Do të të vijë një zarf, brenda të cilit gjendet fleta e votimit dhe një zarf i bardhë ku duhet vendosur fleta pasi të kesh votuar. Në mes ke Partinë Socialiste me numrin pesë dhe një kandidat sipas qarkut tënd. Pasi e mbyll në zarfin e bardhë, futet në një tjetër zarf që garanton fshehtësinë e votës. KQZ e ka konceptuar procesin në mënyrë që sekreti i votës të ruhet – kur mbërrijnë në Shqipëri, zarfet ndahen nga ato që mbajnë adresën dhe askush nuk mund të identifikojë votuesin.”

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën e quajti këtë një “festë të dyfishtë për demokracinë”, pasi rreth një çerek milioni shqiptarë janë regjistruar për të marrë pjesë në votim.

“Mandati i katërt i Edi Ramës do t’ju lehtësojë jetën juve, bashkatdhetarëve tanë në Greqi. Në pasaportën tonë do të shkruhet ‘Pasaportë e BE-së’, dhe kjo do të thotë që nuk do të trajtoheni ndryshe nga qytetarët e tjerë të bllokut. Kjo është e mundur vetëm me votën për Partinë Socialiste më 11 maj.”

Në fund, ai iu drejtua edhe demokratëve të diasporës:

“Je demokrat? Shumë mirë, por këtë herë duhet të votosh për Edi Ramën! Vota jote për ‘babain e Lulit’, ‘bufin e kënetës’ nuk të ndihmon aspak, ndërsa vota për PS është një votë për të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu si qytetarë të BE-së.”

Pas zgjedhjeve, sipas Ballës, Partia Socialiste do të shtrijë strukturat e saj në të gjithë Greqinë për të fuqizuar më tej komunitetin shqiptar atje, në një kohë që roli i Shqipërisë dhe imazhi i saj janë përmirësuar në rajon edhe më gjerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu